Rei Manaj nuk do të jetë pjesë e Barcelonës në sezonin e ardhshëm. Për këtë janë të sigurt në Spanjë ku prej ditësh qarkullojnë emra skuadrash të ndryshme që janë të gatshme të firmosin me sulmuesin e përfaqësueses shqiptare.
Më pranë tij është klubi portugez i Fomalikao, i cili ka nisur negociatat me lojtarin dhe me klubin katalanas. Por në këtë mes, Barcelona ngul këmbë në një pikë specifike në marrëveshje, siç shpjegon sot e përditshmja “Marca”.
Katalanasit duan që të shesin menjëherë futbollistin, kontrata e të cilit përfundon në verën e vitit 2023 dhe jo të japin në huazim atë me të drejtën e blerjes në fund të sezonit, siç kërkon klubi portugez.
Kjo është pika ku negociatat kanë ngecur, pasi Barcelona ka shpenzuar rreth 2 milionë euro për kartonin e Manajt kur e bleu nga Albacete dhe dëshiron që të përfitojë financiarisht nga shitja e tij edhe për shkak të problemeve financiare që ka.
Sigurisht, nuk bëhet fjalë për shuma të mëdha, por shitja e një lojtari vlerësohet si sinjal pozitiv për bankat me të cilat po negociohet shtyrja e afateve të shlyerjeve të borxheve që ka klubi.
Kësisoj, Manaj mbetet në pritje, pasi çdo klub që dëshiron shërbimet e tij, duhet të plotësojë këtë kusht të katalanasve dhe në këtë moment, nuk janë të shumtë klubet që janë të gatshëm të paguajnë për kartonin e sulmuesit të përfaqësueses shqiptare, pavarësisht formës që ka kaluar në edicionin e fundit.