Vllaznia arriti një fitore shumë të rëndësishme ditën e djeshme në kuadër të çerekfinaleve të kupës së Shqipërisë. Kuqeblutë mposhtë në takimin e parë të këtij raundi, skuadrën e Partizanit me rezultatin 3-1. Shifra që “ngrohin” shkodranët dhe që janë një “garanci” për kalimin më tej në gjysmëfinale.

Protagonistë në duelin ndaj të kuqve ishin sulmuesit kuqeblu. Ku ai që spikati ishte Kaina me një dopietë e po ashtu Mehdi Çoba që realizoi golin e shifrave provizore 2-0. E pikërisht mëngjërashi ishte ndër më të mirët e ndeshjes. Duke merituar kështu edhe duartrokitjet e publikut në minutën e 86-të ku u zëvendësua nga Latifi.

Jo vetëm goli, por edhe loja që zhvilloi 22-vjeçari në krahët e sulmit kuqeblu ishte e një niveli të lartë. Duke treguar edhe njëherë që Çoba nuk është vetëm një alternativë tek skuadra. Dhe sa herë që ka zbritur në fushë, numëri 11-të është shndërruar në protagonist. E duket se Partizani është “preja” e preferuar e Çobes.

Pas golit në kampionat në fitoren 1-2 të Vllaznisë në Tiranë para pak javësh. Ku vendimtar ishte goli i Çobes në minutat e fundit, shkodrani gjeti sërish golin ndaj të kuqve. Por kësaj here në kupë, ku gjithsesi është një gol që peshon goxha në fatet e kualifikimit.

Të gjithë tek Vllaznia shpresojnë që jo vetëm Çoba, por të gjithë futbollistët të tregojnë performanca në rritje në një moment ku sezoni sa vjen e vështirësohet.
Endri ÇINARI