Mbrojtësi i Brazilit, Marcelo, ishte vetëm një nga dy titullarët që vuajtën në dy edicione radhazi eliminimin në Botëror. Protagonist në ndeshjen e famshme të humbur 7-1 përballë Gjermanisë, ai ishte edhe mbrëmë në fushë përballë Belgjikës dhe nuk ka ngurruar t’i cilësojë të njëjta të dy disfatat.

“Sipas meje, dhembin njëlloj. Një natë e tmerrshme, kur eliminohesh nuk ka shpjegime”, tha futbollisti pas ndeshjes për gazetarët.

“Rezultati nuk ishte i drejtë, shpesh futbolli është i padrejtë, një herë në favorin tënd, një herë kundër. Këtu brenda kemi krijuar një familje. Të gjithë luftuan, edhe ata që nuk luajtën po na mbështetnin nga pankina. Deshëm të mbërrinim në një finale.

E pranoj se ata ishin më mirë në 15 minutat e para. Por pastaj kishim ne mundësitë të shënonim gola, gjërat mund të ishin ndryshe.

Në pjesën e dytë komanduam lojën, kishim shumë raste, portieri i tyre priti shumë. Por futbolli është kështu, kush bën më shumë gola fiton”, tha mbrojtësi./vipsport/