Shqipëria e Silvinjos është gati për duelin e ditës së enjte ndaj Çekisë (ora 20:45), e vlefshme për kualifikueset e Europianit. Kuqezinjtë zhvilluan pasditen e sotme seancën stërvitore në ambientet e stadiumit “Fortuna Arena” ku do të zhvillohet ndeshja. Në kampin kuqezi mbizotëron klima pozitive, me lojtarët që duken të gjithë gati për të dhënë maksimumin në këtë duel të rëndësishëm për rrugëtimin drejt Europianit 2024.

Në seancën e sotme stërvitore trajneri Silvinjo ka provuar edhe formacionin e mundshëm që ai pritet të hedhë në fushë mbrmjen e nesërme. Nuk do të mungojnë surprizat për sa i përket i tutllarëve.

Porta do t’i besohet Etrit Berishës, ndërkohë në repartin e mbrojtjes pritet të rreshtohen, Elseid Hysaj nga e djathta, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti në qendër si dhe Mario Mitaj nga e majta. Gjasat janë të mëdha që Balliu ta nisë nga stoli dhe Silvinjo t’i besojë Mitajt që bëri mirë në ndeshjen e fundit me Kombëtaren ndaj Ishujve Faroe.

Mesfusha pritet të formohet nga treshja Ramadani, Asllani dhe Bajrami, të 3 këta futbollistë që luajnë në Serinë A. Për sa i përket sulmit, ka një balotazh në krahun e majtë mes Uzunit dhe Seferit, duket se Silvinjo do të vendosë ditën e fundit për këtë vend titullari, ndërkohë që Cikalleshi në qendër dhe Asani nga e djathta duken dy baste të sigurta.

FORMACIONI I MUNDSHËM:

SHQIPËRIA (4-3-3)

Në portë: Berisha

Në mbrojtje: Mitaj, Gjimshiti, Ismajli, Hysaj

Në mesfushë: Bajrami, Ramadani, Asllani

Në sulm: Uzuni (Seferi?), Cikalleshi, Asani