Klubi shumësportësh Vllaznia tashmë e ka një drejtues. Ai është Mark Kroqi, ish-volejbollisti I njohur I tij dhe I ekipit kombëtar. Gazeta jonë e kishte publikuar prej disa ditësh këtë gjë por në fakt vetëm sot është zyrtarizuar. Ka qenë nënkryetari I Bashkisë Shkodër Ritvan Troshani ai që ka mbledhur administratën e klubit dhe ka prezantuar para tyre shefin e ri të tyre. Një emërim I tillë sigurisht që është mirëpritur nga të gjithë sepse Kroqi është një figurë shumë e njohur dhe me reputacion. Duke folur për gazetën “Shkodra Sport” në të parin prononcim në detyrën e tij të re, ai ka thënë:

“E kam pritur me shumë interes propozimin e kryetarit të Bashkisë Lorenc Luka  për të qenë në krye të klubit Vllaznia. Në sport kam kaluar vitet më të bukura të jetës time dhe besoj se tashmë mund të kontribuoj edhe si drejtues. Natyrisht jo vetëm, por duke bashkëpunuar ngushtësisht me drejtuesit e tjerë të klubit, trajnerët dhe sportistët, mendoj se do bëjmë diçka të mirë”. Për Kroqin ky është një rikthim tek sporti pas plot 20 vitesh sepse më 1993 vendosi t’I jepte fund karrierës së tij sportive. Një karrierë kjo me suksese teksa vetëm 16 vjeç ai ka qenë pjesë e ekipit të parë të Vllaznisë dhe një vit më vonë, edhe anëtar I ekipit kombëtar. Për të, ende edhe sot është kënaqësi të përmendë shokët me të cilët ka luajtur volejboll si Xhino Mjeda, Irfan Boriçi, Adrian Shiroka, Besnik Lisha, Gjon Çoba etj, apo dhe trajnerin Mark Grimci sepse nga ajo periudhë ka mbresa të mëdha. Pas sportit, është marrë edhe me politikë teksa ka qenë kryetar I këshillit Bashkiak Shkodër, deputet I parlamentit shqiptar etj. Megjithatë I pyetur nëse ky rikthim tek sporti, do të thotë se këtë punë e bën më mirë se çdo gjë tjetër, shefi I ri I shumësportëshit shkodran e ka pohuar një gjë të tillë duke thënë: “Unë jam shprehur edhe në ambjente të ndryshme. Sporti është gjëja që di të bëj më mirë se çdo gjë tjetër prandaj dhe u riktheva sërish pranë tij. Kam patur një periudhë shkëputje megjithatë besoj se sërish do kemi të njëjtin pasion siç kam patur edhe kur kam qenë sportist, edhe tani që jam në postin e drejtuesit”.
www.shkodrasport.com