Dy javë start i shkëlqyer dhe vend i parë në renditje për Vllazninë, por për të konfirmuar faktin që do të jetë një sezon ndryshe për të, ajo duhet të tregojë vlerat e saj në sfidën e javës së tretë me Tiranën.

Këtë mendim ka dhënë gazetari i mirënjohur shkodran Gasper Marku gjatë emisionit “Sport Show” në TV1 Channel ku ai ka qenë i ftuar mbrëmjen e së hënës ku është shprehur:

“Në fakt na frikësuan ndeshjet miqësore që dhuruan pakashumë rezultate të barabarta për Vllazninë, fitore minimale, fitore me autogola dhe opinioni krijoi një paragjykim se skuadra nuk ishte sërish aty ku duhet.

Por tre ndeshjet e para të këtij sezoni, ato zyrtare, për kupë me Devollin dhe për kampionat me Apoloninë dhe Skënderbeun, përmbysën gjithçka nga sa mendohej dhe tashmë shohim në fushë një Vllazni ndryshe.

Një skuadër të etur për fitore, ndoshta e ka ndihmuar edhe pak kalendari sepse dy ndeshjet e para të kampionatit nuk kanë qenë përballë kundërshtarëve shumë të fortë, ndonëse Skënderbeu në fakt mendohej krejt tjetër, por fitorja në Korçë ka ndryshuar shumë gjëra.

Unë mendoj se java e tretë do të jetë barometri kryesor, pikërisht në përballjen me Tiranën. Fatkeqësi e madhe që ndeshja do të luhet pa tifozë sepse përpos spektaklit, entuziasmit etj, por edhe në aspektin financiar është një minus i madh për klubin Vllaznia sepse sikur të luhej me tifozë kjo ndeshje, arka e tij do të mbushej jo pak”./SHKODRA-SPORT.COM/