Maroku po shndërrohet në ‘yllin’ më të ndritshëm të futbollit afrikan dhe një ndër shembujt më frymëzues në skenën botërore. Me një qendër stërvitore ultramoderne, një sistem rekrutimi të sofistikuar në gjithë Evropën dhe një traditë të pasur talentesh, “Luanët e Atlasit” po ndërtojnë me qetësi një projekt që po jep rezultate të prekshme.

Faktet flasin vetë: pas arritjes historike në gjysmëfinalet e Kupës së Botës 2022 në Katar, ku mposhtën Belgjikën, Spanjën dhe Portugalinë, Maroku ka vazhduar të shkëlqejë. Kombëtarja U-20 u kualifikua për gjysmëfinalet e Botërorit për të rinj, e udhëhequr nga ‘ylli’ i ri, Zabiri, ndërsa në Lojërat Olimpike të Parisit 2024 fitoi medaljen e bronztë, një tjetër dëshmi e suksesit të strategjisë marokene.

Ky progres lidhet ngushtë me politikën e zgjuar të rekrutimit, që përfshin talente me origjinë marokene të rritur në Evropë, si Achraf Hakimi, Brahim Díaz, Ez Abde, Saibari, Ilias Akhomach, Talbi dhe Ben Seghir. Përvoja e “gardës së vjetër” me emra si Amrabat e En-Nesyri plotëson një përzierje ideale brezash, të menaxhuar me mjeshtëri nga trajneri Walid Regragui, i cili ka ndërtuar një grup solid, ambicioz dhe të bashkuar.

Pavarësisht humbjes së një talenti si Lamine Yamal, që zgjodhi Spanjën, projekti i Marokut po ecën përpara me forcë. Në horizont ndodhet Kupa e Botës 2030, që vendi do ta bashkorganizojë me Spanjën dhe Portugalinë, një ngjarje që do t’i japë dimension global vizionit futbollistik maroken.

Arena e re e Casablanca-s, e parashikuar të presë finalen e madhe, simbolizon ambicien e këtij vendi për t’u vendosur përfundimisht në elitën e futbollit botëror. Para kësaj, Maroku do të presë edhe Kupën e Kombeve të Afrikës, ku konsiderohet favorit absolut për trofeun.

Sot, askush nuk mund ta nënvlerësojë më Marokun. Me infrastrukturë moderne, drejtim strategjik dhe një brez ‘yjesh’ që po shpërthen në arenën ndërkombëtare, “Luanët e Atlasit” janë gati të shkruajnë një kapitull të artë në historinë e futbollit afrikan.