Ekipi i Adës në futboll për femra ka koleksionuar një tjetër humbje në turneun ndërkombëtar që është duke u zhvilluar në Budva të Malit të Zi. Ai kanë luajtur sot ndaj nënkampiones së Rumanisë FCM Tirgu Mures dhe është mundur me rezultatin 0-4. Në fakt, drejtuesit e skuadrës velipojake nuk kanë qenë shumë të shqetësuar në lidhje me këtë humbje. Kjo pasi ata kanë aktivizuar në pjesën e parë krejt formacionin e dytë dhe për rrjedhojë 45 minutat e para janë mbyllur 3-0. Aktivizimi i këtyre lojtareve është bërë me qëllim lënien pushim të titullareve ngaqë ata kanë patur jo pak lodhje gjatë këtyre ditëve me zhvillimin e katër ndeshjeve rradhazi njëra pas tjetrës. Në pjesën e dytë sot ndaj ekipit rumun, merret vesh se loja e Adës është përmirësuar shumë dhe ndonëse ata kanë pësuar një gol tjetër, kjo nuk ka qenë realisht ajo çfarë dy skuadrat kanë treguar në fushën e lojës. Ndërkohë ditën e nesërme, pikërisht në orën 10.30 do të zhvillohet ndeshja e fundit e këtij turneu, ajo në mes Adës dhe kampiones së Rusisë dhe një nga tetë skuadrat më të mira të Europës- Rossyankës e cila pavarësisht rezultatit të kësaj ndeshje, është shpallur fituese e turneut ngaqë i ka fituar të gjitha ndeshjet e luajtura duke treguar një nivel shumë të lartë loje. Pavarësisht kësaj, kjo pjesmarrje i ka shërbyer mjaft ekipit të Adës.
www.shkodrasport.com