Trajneri i Vllaznisë, Artan Bushati, pavarësisht kritikave që ka pasur ndaj të tijve, përsëri shpreh besimin e plotë te skuadra që drejton. Pesha e humbjes së të shtunës asë kaluar në Gjirokastër përballë Luftëtarit nuk duket se do të krijojë probleme në kampin kuqeblu sa i përket aspektit psikologjik. Për numrin një të pankinës shkodrane, ndonëse është humbur një ndeshje, nuk është humbur e gjithë “lufta”. Ai mbetet i mendimit se jo çdo e keqe që vjen, mund të sjellë vetëm keq. Kështu Bushati beson se Vllaznia do të bëjë autokritikë në transfertën e radhës, atë ndaj Apolonisë.

“Unë besoj se duke filluar nga ndeshja e ardhshme me Apoloninë, kuqeblutë do të rikthehen aty ku duhet dhe i kanë të gjitha mundësitë reale për këtë, ashtu siç bënë në dy ndeshjet e para të fazës së dytë, përballë Skënderbeut dhe Kukësit. Lojtarët po marrin ngarkesat maksimale dhe jam i bindur se në fundjavë nuk do ta diskutojnë rezultatin pozitiv. Nuk ka takime të lehta dhe kundërshtarë të lehtë, ndaj kam besim të plotë te djemtë që drejtoj se do arrijnë maksimumin në këtë takim”, – shprehet fillimisht Bushati.
Ndryshimi – Artan Bushati, numri një i pankinës shkodrane, duke vijuar më tej shpreh besimin te ndryshimi jo në përbërje të kontingjentit që ka në dispozicion, por për më tepër te ndryshimi që vetë lojtarët duhet të bëjnë në fushë nga përballja e fundit: “Pas çdo humbjeje kemi çfarë të mësojmë, ashtu siç kemi bërë pas çdo fitoreje. Dhe, si e tillë, ne jemi duke vazhduar një cikël javor, krejt normal, si edhe të gjithë ciklet e tjerë, ku theksin e kemi vënë kryesisht te pikat e dobëta që kemi shfaqur në tërësi në sfidën me Luftëtarin. Jemi ndalur te problemi i motivimit, si pjesa kryesore që ne trajtojmë, si edhe te mobilizimi që skuadra duhet të ketë për këtë takim me Apoloninë. Të tjerat do të shikohen gjatë rrugës”.
Objektivi – Një humbje në kampionat dhe aq më tepër në javën e tretë të kësaj faze të dytë nuk duket se zbeh objektivin minimal që Vllaznia ka në këtë sezon
futbollistik. As për teknikun Bushati një humbje e tillë nuk shikohet si fundi i objektivit kuqeblu. “Unë do të thosha se ka përsëri kampionat dhe, kur e kemi marrë drejtimin e skuadrës, nuk kemi pasur ndonjë qëllim në vetvete që as të dalim kampionë dhe as na kanë vënë kushte për të luajtur në Kupën UEFA. Ne kemi ruajtur po atë kontingjent futbollistësh, duke u përpjekur të bëjmë maksimumin me ata që kemi në dispozicion, për të cilët jam shumë i kënaqur me punën që bëjnë edhe lojën e tyre. Nuk mund të absolutizohet vetëm një ndeshje, me gjithë ato përballje të mira që kanë zhvilluar këta djem, me gjithë atë punë të mirë që kanë bërë dhe do të vazhdojnë ta bëjnë. Unë e kam thënë edhe më parë se kam besim te këta futbollistë, për të arritur më të mirën në këtë pjesë të dytë të sezonit”, – ka përfunduar numri një i pankinës shkodrane, Bushati.

Admir Uruçi