Teuta është katër fitore larg titullit kampion. Ekipi durrsak kryeson i vetëm Superioren, teksa nesër (16:00) luan “finalen” e parë ndaj Kastriotit. Trajneri i Teutës, Edi Martini flet për mediat rreth transfertës, gjendjes së skuadrës së tij dhe objektivit madhor.

“Situata është mjaft e mirë. Lojtarët janë stërvitur me ritme të larta, përqendrimi dhe entuziazmi kanë qenë maksimal, kështu që ndihemi mirë. Normalisht që është ndeshje e vështirë, duke parë edhe renditjen. Do të jetë një lojë e fortë, një lojë e luftuar. Ne jemi të qartë për objektivin tonë, kështu që do të shkojmë për tre pikë.

Kundërshtari? Ne e njohim mjaft mirë njëri-tjetrin. Kemi luajtur tre herë ndaj tyre, por ne çdo herë tentojmë të bëjmë lojën tonë, e shohim pak kundërshtarin. Do të vazhdojmë të bëjmë lojën tonë. Kanë mbetur edhe 4 ndeshje.

Eksperienca e lojtarëve të mi është mjaft e madhe, kjo ma lehtëson punën, të paktën në aspektin psikologjik. Do të ishte mirë të luanim në një orar me Partizanin, megjithatë i kemi në dorë vetë gjërat tona. Të mos shohim kundërshtarët, të vazhdojmë drejt ëndrre.

E rëndësishme është ndeshja jonë. Kemi një fat që e kemi në këmbët tona, nuk presim gabimet e kundërshtarëve. Jemi afër titullit, por duhet të jemi shumë të përqendruar dhe të fokusuar në çdo ndeshje, në çdo detaj të lojës dhe në çdo moment të saj, dhe të dalim pas çdo ndeshje me fitore.

Tani kemi Krujën, ata janë një ekip mjaft i fortë, i kanë hapur probleme të gjithë skuadrave. Janë ndeshje të rëndësishme, janë ndeshje që duhet t’i marrim. Mungesat? Arapi ka probleme me puplën, pjesa tjetër është ok. Edhe Jackson është bashkuar me grupin“, përfundoi Martini. /abcnews/