Partizani luan një ndeshje shumë të rëndësishme ditën e nesërme, siç është ajo ndaj Tiranës në derbin e kryeqytetit. Në krahë të trajnerit Daja, në konferencë për shtyp është shfaqur edhe drejtori i të kuqve Olsi Rama. Ky i fundit ka thënë se numri i tifozëve nga kundërshtarët e Partizanit nuk është respektuar.

“Partizani ka një disavantazh. Kur luan jashtë Partizani ka tifozë kundërshtarë, në Laç, në Shkodër dhe në Korçë, ndërkohë që ne e respektojmë protokollin. Në Laç e pamë të gjithë se çfarë ndodhi dhe ajo ishte e turpshme.

VIP-at, tifozët e Skënderbeut, ishin gjatë gjithë pjesës së dytë mbështetës së skuadrës kundërshtare edhe këto ndikojnë te lojtarët, të cilët nuk i kanë prej një viti tifozët.

Tifozët në stadiume? Janë gjëra që vendosen nga Komiteti i Ekspertëve. E kemi parë të gjithë që në Shqipëri gjithçka po shkon drejt përmirësimit. Nëse ka një ekip që është i interesuar për tifozët, është Partizani. Do ishte një gjë e madhe për Partizanin, rikthimi i tifozëve.

Është ende herët për tifozët. Federata e Futbollit duhet të bëjë një kërkesë, siç bëri për ndeshjen me Anglinë. Nuk mendoj se ndeshja me Anglinë është më e rëndësishme se ndeshjet e kampionati shqiptar, por Federata e mori mundimin për të bërë kërkesë. Nuk mund ta bëjë Partizani kërkesën.”, tha fillimisht Rama.