Nga Shkodra, në Kalkutë të Indisë. Matko Djarmati nuk e kishte menduar kurrë se një ditë do të shkonte për të punuar si zëvendëstrajner rreth 7 mijë kilometra larg Shqipërisë, pikërisht në një klub që ndodhet në Azinë Jugore dhe që përfaqëson një qytet me rreth 15 milionë banorë. Kroati ishte pjesë e Vllaznisë si drejtor sportiv në dy vitet e fundit dhe dy muaj më parë iu bashkua ishtrajnerit të kuqebluve, Thomas Brdariç, te klubi Chenain FC.

Dje Djarmati ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport” për herë të parë që pas largimit nga Vllaznia, duke treguar gjithçka qoftë për zgjedhjen e tij, por edhe se si e ka parë skuadrën shkodrane në dy ndeshjet që zhvilloi me Universitatea Kraiovës. Djarmati flet hapur këtë herë për ish-skuadrën, ku në rolin e drejtorit arriti të fitojë dy herë radhazi kupën e Shqipërisë.

Matko, nga Shkodra në Indi. Shumë larg besoj, por rëndësi ka të dimë në këtë moment, si po shkon eksperienca juaj e re te Chenain FC?

Deri më tani nuk them dot asgjë të keqe për eksperiencën këtu. Kam rreth dy muaj që punoj te Chenain FC. Për momentin jemi në javën e tretë të përgatitjeve në qytetin e Kalkutës. Skuadra stërvitet në një kompleks ku edhe përgatitet kombëtarja e Indisë.


Do të punoni sërish me Thomas Brdariçin, ishte gjermani që ju bindi?

Sigurisht, sepse kisha njohje më përpara me Tomasin dhe eksperienca 2-vjeçare që kemi punuar bashkë te Vllaznia, patjetër lehtësoi gjërat edhe për mua. Dua të kujtoj se në bashkëpunimin që pata me presidentin e Vllaznisë, vendosëm të sjellin Tomasin në Shkodër. Ndërsa në këtë rast, ai ka kërkuar mua për një aventurë të re në Indi. Në fillim nuk isha i vendosur, sepse kisha tri oferta nga klubet shqiptare. Megjithatë, aspekti financiar dhe eksperienca e re në një shtet si India, më bëri të vendos t’i bashkohem Tomasit. Tashmë do të provojmë të vazhdojmë me sukses njëlloj siç kemi bërë te Vllaznia.


Jeni ambientuar me jetën në Kalkuta, si është një ditë për ju në këtë qytet që lidhet fort me Nënë Terezën?

Jam ambientuar mirë, por vetëm kam vështirësi në lëvizjen që bëj me makinë në qytet. Lëviz gjithnjë me një shofer, sepse këtu është në krahun e kundërt lëvizja e makinave. Kjo ndodh pasi vendi këtu është koloni angleze dhe të gjitha makinat janë me timonin në krahun e djathtë. Jetoj në një hotel me 5 yje për momentin dhe jemi përqendruar vetëm në stërvitje, në njohjen e ekipit dhe analizat që bëjmë. Ditët kalojnë shpejt.


Ju gjykoni se Vllaznisë i duhen disa afrime për të qenë për titull?

Mendoj se i duhet diçka më shumë se në 2 vitet fundit. Duhet një sulmues, që shënon afërsisht 20 gola në sezon. Gjithashtu, duhet një sulmues tjetër krahu apo gjysmësulmues. Një lojtarë që mund të krijojë kreativitetin në skuadër. Po të shohësh mesfushën e ekipit, të gjithë lojtarët i ka punëtorë. Pra, Marku, Jonuzi, Heriç apo Boshjanku, janë punëtorë, por nuk kanë kreativitet që kishte Da Silva për shembull. Kam frikë se nëse nuk sjellin 2 ose 3 lojtarë, do të jenë sërish aty ku ishin sezonin e fundit. Superliga është kampionat shumë i vështirë, pasi janë 36 javë, plus 6 ndeshje në Kupë, kështu që nuk do ta ketë aspak të lehtë. Duhet të kesh 20 lojtarë cilësorë për titullin.