Masanga Matondo dhe Partizani duket se nuk kanë në plan të ribashkohen më. Pavarësisht se pati një marrëveshje paraprake për rikthimin e mesfushorit, ku presidenti Demi u përfshi personalisht dhe arriti të përmirësojë situatën, kur Matondo pritej në Tiranë, kanë lindur mosmarrëveshje të reja.

Pas disa përplasjeve, palët u tërhoqën dhe Matondo mori vendimin për të mos u kthyer te Partizani, që nuk e lejon të transferohet te Hatajspor për 300 mijë euro, plus 50% të kartonit. Në ditët e fundit është përfolur për një rikthim të tij në Tiranë, por 23-vjeçari nuk është paraqitur në klub. Situata mes palëve është shumë e nxehtë, me mesfushorin, që ka thyer çdo afat dhe çdo rregull në lidhje me kontratën, pasi nuk po paraqitet aspak në stërvitje, madje nuk ka ardhur as në Tiranë.

Klubi nga ana e vet në një situatë të tillë është detyruar të marrë masa ndëshkuese ndaj lojtarit. Gazeta mëson se përveç gjobës, që është e padiskutueshme në një rast të tillë, drejtuesit e Partizanit e kanë paralajmëruar Matondon se nuk kanë në plan ta shesin në këtë verë.

Gjithashtu, ai nuk konsiderohet më një lojtar kryesor për ekipin dhe në rast rikthimi, ai do të përfundonte në stol ose në tribunë. Nga ana tjetër, Hatajspor është ende në pritje të kongolezit, që gjithashtu nga ana e tij nuk ka në plan të rikthehet te Partizani, duke vënë në rrezik edhe formën fizike të tij. Aktualisht marrëdhënia dhe negociatat mes palëve janë tërësisht të thyera.

Matondo nuk kthehet dhe klubi po mendon ta dërgojë çështjen në FIFA, ku do të kërkonte një shumë të majme në shkëmbim. Por as kjo nuk e zmbraps lojtarin, i cili e ka vënë seriozisht në vështirësi klubin me vendimin e tij për të mos u kthyer. Gjithsesi, në javët në vijim trajektorja e kësaj çështjeje mund të ndryshojë.