Vllaznia do presë ditën e dielë në Shkodër, skuadrën e Skënderbeut. Takimi që do jetë i vlefshëm për javën e 13-të të Superligës i gjen shkodranët në një formë shumë optimale. Po ashtu edhe korçarët me fitoren në ndeshjen e fundit vijnë në “Loro Boriçi” me humorin e duhur.

Historiku i këtyre përballjeve ka ndryshuar në periudha të ndryshme. Nëse deri para vitit 2010, Vllaznia ka qenë dominuese në duelet me “ujqërit”, kjo statistikë kaloi në favor të korçarëve gjatë periudhës tyre të artë. Ku jo vetëm Vllaznia kishte statistika negative përballë tyre, por gjithë ekipet e kampionatit.

Gjithsesi në 2 vitet e fundit ekipet janë përballur 6 herë. Fitues në 4 raste ka dalë ekipi kuqeblu, ku sukses kryesor është fitimi i kupës së Shqipërisë përballë Skënderbeut me shifrat 1-0 ku deçiziv do ishte goli i Da Silvas. Ndërkohë në dy rastet e tjera takimet kanë përfunduar në barazim.

Ndeshja e fundit e fazës së parë mes dy skuadrave i ka ndarë ata në “paqe” me një rezultat 0-0. Vllaznia do kërkojë të vijojë me rrugën e fitoreve në kampionat dhe traditën e rezultateve pozitive kundër korçarëve.

Ndeshja gjithsesi parashikohet të ketë vështirësitë e saj për kuqeblutë që duhet të tregojnë kujdes ndaj një kundërshtari që do t’iu bëj “dëm” ekipeve pretendente.
Endri ÇINARI