Mbledhja e fundit e Këshillit aktual të Bashkisë Shkodër do të zhvillohet më 28 maj. Të paktën kështu janë lajmëruar të gjithë anëtarët e tij. Ajo që të bën përshtypje në rendin e ditës së kësaj mbledhje të fundit është se në të nuk ka asnjë pikë që flet për Vllazninë. Themi kështu pasi pak ditë më parë u deklarua se në këtë mbledhje do të kërkohej miratimi i një fondi për mbarëvajtjen e ecurisë së skuadrës kuqeblu gjatë periudhës qershor- korrik, atëherë kur i duhet të nisë stërvitjen për sezonin e ri dhe për të bërë ndonjë blerje në merkato.

Miratimi i një fondi të tillë ishte mëse i domosdoshëm ngaqë Këshilli i ri Bashkiak që do të dalë nga zgjedhjet e 21 qershorit, do të nisë punë nga muaji gusht dhe miratimi i një fondi atëherë, do të thoshte se është shumë vonë për nisjen e punës. Vetë nënkryetari i Bordit Mbikëqyrës të klubit shkodran- Edip Shiroka, në një prononcim të tij të para pak ditëve do deklaronte: “Do të miratohet një fond për mbarëvajtjen e ekipit për periudhën e verës. Kam biseduar me drejtuesit e Bashkisë por edhe me pjestarët e tjerë të Bordit dhe të gjithë ata janë dakord për një gjë të tillë. Miratimi i një fondi të tillë është mëse i domosdoshëm për ecurinë e skuadrës në prag të nisjes së sezonit të ri”. Kështu ka deklaruar Shiroka dhe po të njëjtën gjë kanë thënë në deklaratat e tyre në njëfarë mënyre edhe administratori i klubit Kalamishi dhe trajneri Zmijani. Megjithatë rendi i ditës i mbledhjes së të enjtes, nuk parashikon asnjë diskutim për Vllazninë. E vetmja zgjidhje është nëse ajo futet jashtë rradhe dhe në fakt është e domosdoshme. Nëse nuk bëhet kjo gjë, problemet për skuadrën do të jenë të mëdha këtë verë.

© shkodrasport.com