Nisja e punës për rikonstruksionin e plotë të stadiumit “Loro Boriçi” ka bërë që ekipi i Vllaznisë t’i zhvillojë dy ndeshjet e fundit të parashikuara në fushën e saj, pikërisht në Krujë dhe në Korçë. Por nëse kjo gjë kaloi pa ndonjë problem ngaqë skuadra e kishte arritur objektivin e saj për këtë sezon, shqetësimi kryesor mbetet tek sezoni i ardhshëm. Fakti që kampionati nis në gusht dhe stadiumi mund të mos jetë gati deri në muajin tetor, e penalizon Vllazninë. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit kanë menduar një zgjidhje: luajtjen e ndeshjeve në fushën sportive “Reshit Rusi”, megjithatë kjo nuk është e sigurtë sepse më parë duhet marrë leje në Federatë.


Kjo është bërë e ditur nga administratori i klubit Neritan Kalamishi që është shprehur: “Fakti që për një periudhë kohore nuk mund t’i luajmë ndeshjet në stadiumin tonë, na ka bërë të mendojmë për zhvillimin e tyre në fushën “Reshit Rusi”. Për këtë arsye, i kemi bërë një kërkesë FSHF-së për këtë çështje në mënyrë që ajo ta liçensojë këtë fushë. Kemi në plan të bëjmë disa investime në këtë fushë, si në ndriçim, në rregullimin e tribunës dhe në veshjen e pjesës së betonit rreth fushës për ta bërë më të sigurtë për sportistët atë. Besoj se do plotësohen këto kërkesa të Federatës dhe ajo ta miratojë këtë fushë për zhvillimin e ndeshjeve të sezonit të ardhshëm”.

 

© shkodrasport.com