U zhvillua ditën e sotme mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit. Mbledhja e sotme, për herë të parë, u zhvillua përmes video-konferencës, në respektim të rregullave të distancimit fizik që kërkohet për shkak të përhapjes së Covid-19 në vendin tonë.

Komiteti Ekzekutiv diskutoi në lidhje me situatën e krijuar në futbollin shqiptar nga Covid-19 dhe përshëndeti punën e kryer deri më tani nga Federata futbollit.

Një nga pikat e rendit të ditës ishte përcaktimi i datës së re të Asamblesë së Përgjithshme 2020, e cila do të zhvillohet më datë 11 Maj nëpërmjet video-konferencës me platformën “Microsoft Teams”.

Ky vendim është marrë për shkak të pamundësisë për ta zhvilluar atë normalisht si çdo vit tjetër. Në këtë mbledhje u miratuan të gjithë materialet që do ti dërgohen anëtarëve një javë para zhvillimit të Asamblesë.