Mbrëmja Gala e së premtes në Pallatin e Brigadave në kryeqytet ishte e tëra për ambasadorët e sportit shqiptar. Çmime e vlerësime gjatë një spektakli, që mblodhi bashkë personalitete të botës së futbollit, krerët më të lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit, njerëz me kontribute të mëdha në sport, si dhe shumë të tjerë. Pas shpalljes së nominimeve në fillim të shtatorit, dje në mbrëmje u ndanë edhe çmimet përkatëse.

Kryetar i Jurisë ishte vetë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili i dorëzoi çmimin kryesor “Albanian Sports Ambasador” ish-kapitenit të ekipit kombëtar të futbollit, Lorik Cana. Në nominimin për këtë çmim ishin Lorik Cana, Igli Tare dhe Edvin Murati, të tre ish-futbollistë të skuadrës kuqezi.

Në përshëndetjen e tij, presidenti Duka theksoi: “Një event që evidenton kontributet e dhëna në fushën e sportit. Ishim realisht në vështirësi konkrete për të zgjedhur fituesin, pasi gjithsecili ka peshën dhe potencialin e tij. Sidoqoftë, një mbrëmje e tillë sjell vlerat më të mira të sportit. Një nismë e tillë duhet përshëndetur dhe vlerësuar”.

Kjo mbrëmje i kushtoi një moment përkujtimor, me një çmim special, legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri, i cili u nda nga jeta disa muaj më parë. Djalit të Vokrrit ia dorëzoi çmimin zv.ministri i Arsimit dhe Sporteve, Kostandin Shkurti.

Ndërkohë, me çmime të tjera u vlerësuan edhe boksieri Luan Krasniqi, i cili me një akt fisnik e bashkëndau këtë vlerësim të publikut (në votimin online) me Haki Doku, një tjetër kandidat i nominuar. Një çmim karriere shkoi për Igli Taren, drejtorin sportiv të Lazios.

Nëna e futbollistit të ekipit kombëtar të futbollit, Ansi Agolli, tërhoqi nga ish-trajneri i skuadrës kombëtare, Gianni De Biasi, çmimin përkatës, në një kohë që u vlerësuan gjithashtu edhe portieri Tomas Strakosha, si edhe sportistët Izmir Smajlal, Erblina Bici dhe Elizabeta Karabolli./telesport/