Mbrëmje magjike për Roko Vatën. Djali i ish-kapitenit të Kombëtares, Rudi Vata, arriti të realizonte tripetë golash me skuadrën e Sëlltik B në duelin ndaj Linlithgou Rose që u fitua nga skuadra e Rokos me rezultatin 3-0.

18-vjeçari me origjinë nga Shkodra tundi rrjetën në minutat 21, 75 dhe 86-të, duke i siguruar 3 pikë të arta skuadrës B të Sëlltik, që po kalonte një moment të vështirë.

Statistika vërtet të frikshme ato të Rokos që ka realizuar 9 gola në 7 ndeshje me Sëlltik B, duke u shndërruar në një yll të vërtetë.

Vlen të theksohet fakti, që pak ditë më parë trajneri i Shpresave, Alban Bushi, i dërgoi një “ftesë” në distancë, Roko Vatës, për të veshur fanellën kuqezi, duke e cilësuar si një nga talentet më premtues në Europë.

Gjithsesi në një intervistë të dhënë më datën 29 tetor për “Panorama Sport”, Rudi Vata pohoi se deri tani nuk ka mbërritur asnjë ftesë nga Shqipëria për djalin e tij.