Albion Marku është një nga lojtarët, të cilin Partizani e ka shumë të vështirë ta zëvendësojë për shkak të aftësive dhe karakteristikave të tij. Ndaj Skënderbeut i riu në pronësi të Lokomotivës së Zagrebit doli i dëmtuar nga fusha.

Ditën e djeshme ai u është nënshtruar testeve mjekësore dhe nga ajo që mjekët kanë konstatuar paraprakisht, nuk është parë një dëmtim serioz. Gjithsesi, shqetësimet muskulore duan kohën e vet për t’u rikuperuar dhe beteja me Vllazninë është të shtunën.

Gjendja e mbrojtësit të djathtë do të ndiqet gjatë javës, pasi për momentin nuk është aspak e sigurt prezenca në Shkodër. Ndërkohë, pjesa tjetër e skuadrës ka zbarkuar në stërvitje ditën e djeshme.

Titullarët i janë nënshtruar një programi rehabilitimi për muskujt, ndërsa pjesa tjetër e lojtarëve janë stërvitur me kapacitet të plotë.