Vllaznia e nisi aventurën në Europë në një mënyrë disi të mirë, duke barazuar ndeshjen e parë ndaj Kraiovës në Shkodër dhe duke krijuar deri diku idenë se do t’ia arrinte edhe në Rumani, të merrte një rezultat pozitiv dhe të kalonte në turin e tretë të Conference League. Kjo nuk ndodhi, pasi Kraiova shënoi tre gola dhe falë formës më të mirë fizike se sa Vllaznia, mundi të shënonte tre gola dhe ta dërgonte ndeshjen në favorin e saj.
Vllaznia u dorëzua për shkak të gabimeve të futbollistëve të vet, pavarësisht se portieri Zogoviç e bëri punën e tij, duke pritur disa goditje drejt portës. Eleminimi ishte një zhgënjim i madh për kuqeblutë, për shkak të optimizmit që ishte krijuar.
Megjithatë, drejtuesit me siguri e kanë vuajtur gjithashtu sa tifozët, ndoshta edhe më shumë skualifikimin, për shkak se kalimi i turit të dytë përkthehej me 850-mijë euro më shumë në arkat e klubit.
Këto të ardhura do të ishin një ndihmë e madhe për klubin për përballimin e sezonit të ri, që nis më 20-gusht. Nga aventura europiane, Vllaznia fitoi pak më shumë se 450-mijë euro, teksa shifra të tjera të konsiderueshme u shpenzuan për fazën përgatitore në Austri.
Megjithatë, sërish klubi shkodran del nga Europa me një bonus jo të vogël, pikërisht 450-mijë euro, që UEFA i jep për pjesëmarrjen në turin e dytë të Conference League. Sa i përket vazhdimësisë, shenjat janë të qarta, teksa edhe në javët e mbetura të merkatos nuk priten mrekulli.
Maringlen ZHIVANI