Shqipëria do luajë sonte në orën 20:45 kundër Anglisë në “Wembley” për ndeshjet kualifikuese të Botërorit. Një takim që më shumë vlen si prestigj për kombëtaren tonë pasi shpresat për një vend të dytë në grup tashmë janë shumë të vogla.

Gjithsesi trajneri Edi Reja po formaton skuadrën tij për një përballje shumë të vështirë me nënkampionët e Europës. Skema që do përdorë italiani duket ajo e zakonshmja me 3-5-2 e tij të famshëm. Por lojtarët e krahut duket se sot do kenë detyra mbrojtëse dhe kështu mund të interpretohet si 5-3-2.

Porta pritet të ketë si titullar, por edhe kapiten të skuadrës, Etrit Berishën. Mbrojtja me treshen Ismajli, Kumbulla dhe Veseli që luan si titullar nga mungesa e Gjimshitit. Po ashtu nga krahët do ndihmojnë Hysaj në të djathtin dhe Trashi në të majtë.

Diga përpara mbrojtjes pritet të ketë si dyshe Gjasulen dhe Baren ndërsa fantazia do jetë në këmbët e Bajramit. Mesfushori i Empolit do jetë edhe mbështetësi kryesor i dyshes sulmuese Uzuni-Cikalleshi. Këta pritet të jenë edhe të besuarit e Rejas në përballjen me “3 luanët”. Ku një rezultat pozitiv në Londër do fuste në histori të gjithë.

Endri ÇINARI