Riçarlison i shënoi, Vinicius i ndërtoi dy golat e Brazilit për shokun e tij të kombëtares. Por çfarë është më e bukura, mesa duket gjysmëroveshata e bomberit të Totenhemit ishte programuar në stërvitje mes Viniciusit dhe Riçarlisonit, siç konfirmon vetëm lojtari i Realit të Madridit, pas fitores me Serbinë.

“Jam më shumë sesa i lumtur me debutimin tim në një Kupë Bote, por pa dyshim edhe për tri pikët që arriti kombëtarja jonë. Nuk kishte se si ta nisnim më mirë këtë aventurë, të cilën unë e prisja prej 22 vitesh që ta bëja realitet. Tashmë i kam nxjerrë të gjitha ëndrrat e mia nga sirtari dhe po nis t’i shijoj, ndonëse sigurisht që përveç të luajturit në një Botëror, kam edhe diçka më shumë sesa kaq, fitoren e tij.

Për të arritur te kupa duhen 7 ndeshje perfekte. Unë mendoj se të parën e bëmë siç duhet, tani na mbeten edhe 6 të tjera për t’u marrë njëra-pas tjetrës, – shprehet 22-vjeçari i “Seleçaos”, që tregon edhe se si e kishin organizuar golin e dytë të Riçarlisonit. – Edhe nëse do ta kisha shënuar vetë atë gol aq të bukur, nuk do të kisha qenë kaq i lumtur. Riçarlison e meritonte, jam i gëzuar për të, pasi është një djalë që punon më shumë sesa të tjerët e mendojnë dhe është gjithmonë gati, kur i jepet rasti.

Për sa i përket golit, e kishim biseduar në stërvitjen e fundit se një top të mirë do t’ia shërbeja, kur ta gjeja vetëm në zonë dhe ai mund të ekzekutonte atë kryevepër. Dhe ashtu ndodhi, me ndryshimin e vetëm se Riçarlison e ekzekutoi edhe më bukur sesa mund ta kisha imagjinuar unë dhe vetë ai. Është një lojtar që do të na ndihmojë shumë, pasi ofron jo vetëm cilësi teknike, por edhe forcë fizike”, përfundoi Vinicius.