Është vetëm 22-vjeç, por me fizikun që e karakterizon duket një “bishë” e vërtetë. Xhulio Nikaj, djaloshi nga Shkodra ka dhënë një intervistë të veçantë për newsport.al. Është shpallur kampion Shqipërie në vitin 2018 për moshën dhe peshën e tij, e për këtë ai tregon peripecitë dhe vështirësitë që ka hasur për të dalë “duarplot” nga skena.

Veç muskujve, një shkodran asnjëherë s’mund të lërë pas edhe humorin. Arma e tij e fortë janë disiplina dhe pasioni për të ecur përpara. Nuk preferon të kthejë kokën pas apo të shohë rivalët. Ai ka një vizion, që me sa duket do të shkojë shumë larg. “Çokollatat” në bark siç i preferojnë femrat t’i quajnë, s’i mungojnë.

Dhe sa e vështirë është për të t’i rezistojë ngacmimeve të tyre? Më mirë frekuentues i kafeneve apo ushtrues i rregullt i palestrës? Përgjigja e Xhulios është për t’u duartrokitur. Ju ftojmë ta lexoni në intervistën e mëposhtme.

– Sa kohë keni që e ushtroni sportin e bodybuilding?
Kam 3 vite që e ushtroj këtë sport. E kisha pasion që në vegjëli, por vetëm para 3 vitesh vendosa të stërvitem intensivisht për të arritur këtu ku jam sot.

– Sa e vështirë ka qenë për ju të ndiqni me përpikmëri dietat strikte të këtij sporti?
Sporti i bodybuilding ka shumë vështirësi. Fillimisht dhe më kryesorja është disiplina dhe detyra që i ke vënë. Mund t’iu tregoj që 3 muajt e fundit para garës janë tmerrësisht të vështira dhe të lodhshme.

– Jeni shpallur kampion për moshën tënde në vendin tonë. Kujt ia dedikoni suksesin?
Suksesin tim të parë, ia dedikoj familjes.

– Pra, keni synim të tjerë trofe?
Sigurisht. Po punoj dita-ditës për të qenë në formë optimale.

– Pyetjet rreth fitnessit janë të shumta. Por, për një trup të bukur, sa kohë duhet t’i dedikojmë stërvitjes?
Fillimisht dua të theksoj diçka. Një trup i bukur s’bëhet vetëm në palestër, por edhe në kuzhinë. Por, për të qenë korrektë 5-6 muaj duhen për të bërë dallimin mes një trupi të palestruar dhe atij normal.

– Ndërkohë, ky sport ka edhe kosto. Mund të na zbuloni afërsisht shpenzimet mujore?

Është e vërtetë. Muajt e fundit para garës kanë qenë shumë të kushtueshëm. Mund t’iu them që shkonin shpenzimet rreth 800 euro.

-Të mirat e body-builderit dihen dhe sukses nuk ke vetëm në skenë, por edhe në rrugë. Por, e veçanta me ty është edhe origjina. Një “shkodran për s’mari t’tana i ban”. Sa të vështirë e keni t’i rezistoni propozimeve të femrave?
(Qesh) Sigurisht, s’mund të mungonte edhe kjo pyetje. Mund ta quaj kënaqësi, jo vështirësi këtë pjesë. Është bukur kur të admirojnë.

– Po ju normalisht do ta ndiheni i kënaqur, vallë kush s’do ishte? Pyetja ishte: Sa e vështirë është të zgjedhësh?
(Qesh) E shoh që po këmbëngul. S’është e vështirë. Le t’ia lëmë rast pas rasti (Qesh)

– Jeni dhe instruktor në një nga palestrat e njohura të Tiranës. A është e vështirë t’u injektosh atyre që stërviten dëshirën tënde për një trup të bukur?
Kjo është një pyetje që në fakt zë vend. Kjo është në varësi të dëshirës së klientit, sa vullnet ka dhe çfarë qëllimi i ka vënë vetes.

– Shpesh herë dëgjojmë: “Jo po je me proteina, jo po je me steroide, jo po kështu, jo po ashtu”. Në eksperiencën tënde, të ka rastisur kështu?
Po, kjo ndodh rëndom në vendin tonë. Dhe e di pse? Sepse pjesa më e madhe e popullsisë nuk janë të mirëinformuar. Ka keqkuptime për suplementet, që janë ushqim i domosdoshëm për trupin.

– Cila është përgjigja për të gjithë ata që s’kanë informacion rreth suplementeve (të domosdoshëm)?
Duhet të lexojnë, por edhe konsultohen me ata që marrin vesh rreth këtij sporti. Shumica e njerëzve janë të painformuar për suplementet, prandaj ka shumë keqkuptime.

– Kush janë idhujt e tu në këtë sport, Shqipëri dhe jashtë vendit?
Nuk dua të ndalem në vend, pasi i kam të gjithë miq. Por, për jashtë vendit dua të veçoj Arnold Schwarzenegger.

– Objektivi i radhës?
Objektivi i radhës, gjithmonë është gara e radhës.

– Një mesazh për të gjithë ata që preferojnë kafenetë dhe jo 1 orë investim për trupin?
Bëni palestër sa më shumë. Kujdesuni për trupin tuaj sepse dhe në ato kafene do të keni më sukses në të ardhmen.