Edon Hasani tashmë mund të cilësohet zyrtarisht një lojtar i Sepahan. Futbollisti shkodran ka udhëtuar përsëri drejt Iranit, këtë herë për të nënshkruar përfundimisht për klubin e tij të ri, pasi siguroi lejekalimin nga Vllaznia. Lojtari ka hedhur firmën në kontratën e depozituar në federatë dhe më pas ka dhënë intervistën e tij të parë si pjesë e këtij klubi. “Ndjehem mirë dhe jam i lumtur që jam pjesë e një skuadre si Sepahan. Do të bëj maksimumin që të arrij suksese me këtë skuadër.

Dua të ndihmoj që të përmirësojmë nivelin e lojës së ekipit dhe pozicionin në renditje”, tha futbollisti shqiptar.

“Kam marrë informacione për skuadrën nga Sukaj dhe Bulku. Ata më thanë që kishin bërë progres si lojtarë te Sepahan, unë e mendoj si ata dhe vi për trofe këtu. Tani thjesht u kërkoj tifozëve të vjinë në stadium pasi presim mbështetjen e të gjithëve. Duam që ata të na ndihmojë me energjinë e tyre”, ishin fjalët e para të Hasanit si futbollisti i Sepahan. /vipsport.al/