Infektimi me COVID-19 i Serxhio Buskets ka zhytur në kaos Spanjën e cila ka ndryshuar plotësisht planin e saj të përgatitjeve për Europianin, pasi skuadra është në izolim dhe stërvitjet janë individuale në këto ditë derisa të jetë siguria se nuk ka të infektuar të tjerë në ekip.
Por ajo që nuk duhej të ndryshonte sipas UEFA-s, ishte miqësorja e planifikuar pët ë martën ndaj Lituanisë, Spanjollëve u është kërkuar një përfaqësuese tjetër që të luante ndaj lituanezëve dhe ultimatumi u është dhënë vetëm në orët e vona të së dielës.
Rreth 12 orë më vonë, në Madrid ishte mbledhur thuajse e gjithë përfaqësuesja U21, në një kohë rekord e mes udhëtimesh që pakkush besonte se mund të realizoheshin.
Trajneri De La Fuente, 2 ditë pasi ishte eliminuar me ekipin e tij në Europianin e kësaj grupmoshe në gjysmëfinale, kishte lënë të lirë të gjithë futbollistët të cilët kishin nisur pushimet apo duke shkuar pranë familjarëve.
Lojtarët janë kontaktuar një nga një gjatë natës së të dielës dhe të gjithë kanë treguar gatishmërinë e tyre që të merrnin pjesë në këtë ndeshje. Grumbullimi gjithsesi ka pasur probleme logjistike që janë zgjidhur në një kohë rekord. Për shembull një pjesë e lojtarëve ishte pranë familjarëve dhe nuk kishin aksesorët sportive.
Ndaj Federata Spanjolle ka kontaktuar kompanitë që prodhojnë këpucë e që kishin kontrata me futbollistët, duke i kërkuar secilës që të dërgonte modelet e reja për çdo futbollist direkt në hotel.
Udhëtimi drejt Madridit ishte peripeci tjetër, pasi një grup futbollistësh ishte në Ibiza duke festuar pushimet në plazh në momentin që morën telefonatën dhe nuk ishte e thjeshtë të sigurohej avioni.
Shumë lojtarë zgjodhën të udhëtonin me ten gjatë gjithë natës, ndërsa të tjerë me makinat personale. Gjithsesi, në mesditën e sotme, të 20 futbollistët e thirrur për këtë ndeshje ishin në hotel në Madrid, duke iu përgjigjur ftesës, edhe pse 14 prej tyre kanë mbyllur ciklin e nuk do të jenë pjesë e U21 në edicionin e ardhshëm. /vipsport/