Federata e Futbollit e Kosovës është në kërkim të trajnerit të ri të Përfaqësueses A të Kosovës, pas largimit të Primoz Glihas.

Ndër emrat e mundshëm për pozitën e selektorit te Kosova është edhe spanjolli, Robert Moreno, që sipas raportimeve bisedimet kanë avancuar së fundmi mes tij dhe krerëve të FFK-së, shkruan lajmi.net.

Media spanjoll “futboldesdemallorca” ka raportuar se Moreno pritet t’i jap sot përgjigjje ofertës së shtëpisë së futbollit të Kosovës.

Sipas tyre, Federata e Futbollit e Kosovës i ka ofruar Morenos pagë 600 mijë euro në vit, me qëllim të dërgojë Kosovën në Botërorin e ardhshëm.

Kreu i FFK-së, Agim Ademi një ditë më parë deklaroi për lajmi.net se deri më tani nuk ka asgjë konkrete sa i përket trajnerit të ri.

“Deri nga fundi i muajit janar, respektivisht fillimit të muajit shkurt nuk kemi ndërmend të emërojmë ndonjë trajner të ri. Jemi në bisedime me disa trajnerë, por nuk kemi asnjë emër konkret deri tani” – ka thënë Ademi për lajmi.net.

Kosova ka mbetur pa trajner pas largimit të Primoz Glihas, i cili ishte emëruar trajner i përkohshëm te Kosova, pas shkarkimit të Alain Giresses, gjatë kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2024.

Kosova synon të lë prapa kualifikimet e Evropianit dhe të bëhet gati me trajnerin e ri për eliminatoret e Botërorit të ardhshëm./Lajmi.net/