Ditën e djeshme në ambientet e Federatës së Futbollit, është prezantuar nga presidenti Armando Duka, trajneri i ri i Kombëtares së Shqipërisë. Do të jetë Edi Reja ai që ka marrë stafetën pas shkarkimit të Panuçit dhe do të udhëheqë kuqezinjtë në vazhdimin e kualifikueseve të Europianit 2020.

Italiani është një teknik me shumë eksperiencë dhe kjo është një nga arsyet që u zgjodh për të drejtuar Kombëtaren. Trajneri 73-vjeçar ka një CV të gjatë me skuadra në kampionatin italian, megjithatë Edi Reja mbahet mend më shumë për aventurat te Lacio, Napoli dhe Atalanta. Ndërkaq, prezantimi i Rejas ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe portaleve në vendin fqinj teksa është pasqyruar gjerësisht në shtypin sportiv.

Duke nisur nga ‘Gazzeta Dello Sport’, e cila ndër të tjera thekson se Reja është trajneri i katërt italian në krye të stolit të Shqipërisë. Gjithashtu, edhe ‘Sport Mediaset’ ka qenë e vëmendshme për të pasqyruar trajnerin e ri të Kombëtares. Në fund edhe portali ’Goal Italia’ ka përcjellë lajmin e zyrtarizimit të Edi Rejas në krye të kuqezinjve. Duke marrë parasysh karrierën dhe famën e teknikut në Itali, duket se vëmendja ndaj Kombëtares do të jetë e madhe. /VipSport/