Trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, foli për MCN TV, pas barazimit me Egnatian në transfertë. Sipas tij, Dinamo meritoi fitoren më shumë se kundërshtari, ndërsa shprehu pakënaqësi edhe për gjykimin.
“E përgatitëm ndeshjen për t’i dhënë epërsi kundërshtarit në zonat e parrezikshme për ne. Në pjesën e dytë bëmë një lojë mjaft të mirë, kemi dalë shpejt përpara. Pavarësisht se Egnatia është në krye, Dinamo meritoi fitoren sot.
Në 2-3 momente dilnim 2 kundër 1 përballë portierit dhe gjyqtarja na ndalonte rastin për të kaluar në epërsi. Falënderoj djemtë dhe presidentin, merita është e lojtarëve pasi ato sakrifikojnë. Tani të mendojmë për javën e ardhshme.
Nga një ekzekutim i tyre nga faulli erdhi goli. Skuadra jonë u fut për të fituar ndeshjen, patëm 2-3 mundësi pas golit të barazimit. Mendoj që ne ishim më afër fitores. Isha i detyruar të ndërroja sulmuesit pasi u konsumuan shumë si Vila si Kaçorri. U detyruam, por ata dhanë maksimumin. Nuk i hoqa për të mbrojtur barazimin.
Final Four? Nuk e mendoj sepse e shohim sa e vështirë është kampionati. Ne duhet të bëjmë detyrën të tregojmë mentalitet në ndeshjet e radhës. Nëse mendojmë për afatgjatë, humbasin objektivat afatshkurtër. Tani shohim ndeshjen me Teutën”- eshte shprehur Mehmeti.