Kastrioti po kalon momente të vështira në këtë sezon të kampionatit shqiptar. Krutanët gjenden aktualisht në vendin e fundit dhe sot ndaj Kukësit nuk mundën të marrin pikë.
Pas takimit, ka folur trajneri Ard Mema që analizoi shkurtimisht atë që ndodh në sfidën e sotme. Kreu i pankinës krutane deklaroi për mikrofonin e Oversport:
“Loja për mua ishte e barabartë. Kishte episodet e veta. Kukësi pati dy raste për shënim, por edhe ne. E rëndësishme është që skuadra u shpreh. Bëmë disa gabime foshnjërake. Kemi pësuar gola të pafalshëm. Ndoshta dhe ngërçi psikologjik na pengon. Ka punë për të bërë shumë, por duhet të korigjojmë pjesën e ekuilibrave dhe bashkëveprimin me njëri-tjetrin.
Loja e bukur, por rreziku i rënies nga Kategoria? Më fal të lutem, kur të shohësh një ekip fshatarësh që godasin topin, fol më të tjerët, jo me mua. Loja ka disa gjëra që duhet të ekzekutohen në fushë, nuk mund të luash futboll si të duash, por që duhet të luash futboll është e padiskutueshme.
Nëse do të luaj top të gjatë, nuk e bëj dot, ka shumë mënyra loje si mund të luhet, nuk po flas për spektakël por për lojë të rregullt ku duhet të ketë stacionim topi, ndryshime krahësh. Nëse mendoni se është spektakël, e them që nuk është, por është korrekte të luash me topin se futbolli nuk është bërë për të plasur topin, por për të luajtur.
Pikët nuk vijën as nga dëshira dhe as pa punë, duhet të punosh shumë për të kapur pikët. E rëndësishme është që një ekipi t’i vijë era futboll e jo të luajë kot e më kot pa ekuilibër, në të dy fazat. Një ekip i shthurur nuk më bën fare përshtypje.
Loja apo pikët? E ke kollaj nga studio Andi Lila të flasësh për pikët. Gjithë rezultati ka të bëjë me pikët. Nuk ka të bëjë me lojën e bukur. Nëse një skuadër nuk di të luajë në fushë, nuk do të marrë pikë. Pjesa e pikëve është ndoshta ngërç psikologjik. Kemi pasur episodet tona, por nuk kemi shënuar. Në ndeshjen e shkuar kemi pasur 8 mundësi shënimi. Unë jam shumë dakord që pikët të gëzojnë. Unë po mundohem që skuadra të shprehet në fushë. Pikët vijnë vetëm duke punuar në fushë. Kjo ishte analiza ime”, tha ai./newsport/