Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot ndaj Çekisë në “Air Albania”, një ndeshje e vlefshme për grupin E të Euro 2024. Ish-trajneri Sulejman Mema ka folur në studion e Klan News për këtë sfidë. Mema duket mjaft optimist për performancën e kuqezinjve sonte në fushë, duke shtuar se i kanë të gjitha mundësitë për t’u kualifikuar në Europian.

“E shikoj ndeshje të vështirë, por jo e pakalueshme sepse duke u nisur nga ato që na ka dhënë Kombëtarja në periudhën e fundit, me të vërtetë na ka bërë përshtypje të gjithëve, ky është dhe optimizmi që ekziston. Janë lojtarë profesionistë, kanë një staf që po e menaxhojnë mirë situatën, ato e dinë se kë kanë përballë.”

Sipas ish-trajnerit, janë shumë elementë të bërë bashkë që shtojnë besimin te secili lojtar i Kombëtares.

“Unë nuk besoj që futbollistët tonë merren me rrjetet sociale, janë shumë të përqendruar, merren me problemet e tyre, stafi i Sylvinho-s merret me detaje dhe kundërshtarin. Di që bëjnë maksimumin që nga kjo ndeshje të marrin maksimumin, atë që e dëshirojmë të gjithë. Marrëdhëniet i kanë njerëzore, por edhe nga ana sportive ka eksperiencën e duhur, reflekton dhe mënyra si sillet me të gjithë njerëzit e Federatës.

Skuadra ka marrë rezultate të mira dhe marrëdhëniet mes lojtarëve janë të mira. Shqipëria sot nuk duhet të humbasë, sepse nëse nuk humbet llogaritë i bën në Nëntor. Mundësitë e Federatës Shqiptare, profesionalizmi i atij që e drejton, ana mjekësore, dhe kjo mënyrë e trajtimit nga institucioni u rrit besimin. Shqipëria tani që po flasim është bërë faktor. I kemi të gjitha mundësitë për të shkuar në Europian. Unë nuk e mendoj rezultatin negativ, duke iu referuar 3 rezultateve i ka mundësitë për të qenë pjesë e kampionatit europian.”

“Sikur ky stadium të kishte 100 mijë vetë, do ishte mbushur dhe 100 mijë do ishin jashtë”, theksoi Mema.Ai thotë në përfundim që Shqipëria me skuadrat e mëdha gjithnjë ka pasur rezultat të mirë, kështu që ka shumë shpresa dhe me Çekinë.

“Do doja shumë të dilnim nga stadiumi me pikën e marrë”, përfundoi Mema.