Përfaqësuesja Shpresa e Shqipërisë ka gjetur kundërshtarin ideal për të ngritur moralin dhe prestigjin pas një fushate të dështuar eliminatore, të përfunduar në vendin e parafundit, me vetëm 7 pikë në 10 ndeshje, duke lënë pas vetëm Estoninë.

Kështu, teksa përfaqësueset U-21 të Greqisë, Austrisë, Portugalisë dhe Polonisë diskutonin kualifikimin përmes Play-off, Shqipëria U-21 fitoi ndaj bashkëmoshatarëve të Maltës me rezultatin 2-0, në një ndeshje miqësore, me vlera vetëm morale.

Ishte sulmuesi i Partizanit, shkodrani Rubin Hebaj ai që ka udhëhequr kuqezinjtë në këtë triumf, falë golit të realizuar në minutën e 35’ dhe 11-metërshit të fituar 10 minuta më pas, të shndërruar në gol nga Imeri.

Kuqezinjtë e drejtuar nga Alban Bushi kanë dominuar takimin e luajtur mbrëmjen e të premtes në “Selman Stërmasi”, duke kërcënuar portën e Maltës që në të 33-tën, kur Muçolli i vetëm përballë portierit dështon në tentativën për të dërguar topin në rrjetë.

Një tentativë e gabuar, të cilën vetëm dy minuta më vonë ishte Hebaj që mendoi ta korigjojë, duke finalizuar në mënyrë perfekte një aksion të rrjedhshëm të Shqipërisë nga e majta.

Sulmuesi i Partizanit goditi topin menjëherë në kthesë, duke kaluar portierin kundërshtar, për t’u dhuruar epërsinë kuqezinjve, 1-0. Vetëm 10 minuta më pas, në të 45-tën Imeri ka dyfishuar shifrat, pasi ka shndërruar në gol 11-metërshin e fituar nga protagonisti Hebaj. Superioriteti i kuqezinjve ka vijuar edhe në pjesën e dytë, me shtyllën që u mohoin golin e tretë në të 55’.

U-21/Shqipëri-Maltë 2-0

Shënues: Hebaj 35’, Imeri 44’ (11-m)

Shqipëri U-21: Dajsinani, Kryeziu, Mersinaj, Tafa, Maloku, Selahi, Muçolli, Imeri, Kallaku, Kolaj, Hebaj.
Trajner: A. Bushi

Maltë U-21: Vella, Pulis, Borg, Guijamie, Zamit, Sansone, Busutil, Shembri, Berman, Zerafa, Brinkat.
Trajner: S. Vella