Sfida e javës së 14-të mes Tiranës dhe Skënderbeut është mbyllur në barazim, 1-1. Në përfundim të këtij takimi, trajneri i bardhebluve, në një prononcim për “SuperSport”, Ardian Mema ka vënë theksin te mungesa e përgjegjshmërisë së lojtarëve, sipas së cilit është arsyeja kryesore se përse Tirana nuk po gjen fitore në Kampionat.

Rezultati i ndeshjes-“Kjo ishte ndeshje e vështirë, sepse Skënderbeu është pretend, duke marrë parasysh anën psikologjike të ekipit. E kishim përgatitur ndeshjen, por mungon goli, ose mungon pjesa ku lojtarët tonë duhet të jenë më të përgjegjshëm.

Të them të drejtën kam qenë shumë nervoz pas golit të pësuar, ata nuk e kuptojnë sepse papërgjegjshmëria po i sjell Tiranës probleme. Duhet të fusin në kokë që ata janë zot të fushës, duhet vënë dorë, është nevojë urgjente te Tirana”.

6 ndeshje, asnjë fitore- “Tirana mendoj që ka pasur një krizë psikologjike te lojtarët, unë jam munduar t’ua kujtoj që duhet të shohim përpara. Mendoj që duhet t‘i mëshojmë përgjegjshmërisë së lojtarëve, kjo gjë më pengon. Ekipi është goditur vetëm nga goditjet standardet”.

Mungesa e cilësive në skuadër-“Tirana mund të kishte lojtarë më të mirë, por unë jam trajner i këtij ekipi dhe do punoj me këto lojtarë. Momentalisht jemi përpara kësaj situate: unë dhe këta futbollistë”.

Në javën e 14 të Kampionatit Shqiptar, Tirana ndodhet në vendin e 8 në tabelë, me 11 pikë në total. Nga ana tjetër, Skënderbeu renditet i dyti, vetëm 1 pikë larg vendit të parë, Partizanit./telesport/