I ftuar i përjavshëm në studion e emisionit “Sport News Plus” të moderatores Daljana Sejdia, në televizionin “News 24”, ish-trajneri i Tiranës, Ardian Mema, analizoi fitoren e bardhebluve në transfertë ndaj Vllaznisë, duke u shprehur:
“Tirana ishte një ekip i vendosur mirë, që e kontrollonte gjatë gjithë kohës lojën. Mbas golit reagoi shumë mirë. E dominonte lojën sidomos në qarkullimin e topit. Mbronte shumë mirë, sulmonte në ekuilibër.
Vllaznia nuk e duron dot këtë pjesën e mos fitores. Tirana luajti me shumë zgjuarsi, për ta gjetur Shkodrën në ditë të keqe. Sulmet dhe kundërsulmet nëpërmjet mesfushorëve dhe Seferit, ishin shumë të mira.
Seferi po bën një lojë që nuk e kemi parë më parë. Isha i dyzuar në fillim në mendim për Seferin, po i jep vlerë ekipit. Vllaznia mu duk një ekip i stresuar, kjo ishte ajo pjesa që Tirana e shfrytëzoi mirë. Tirana ka bërë llogari në vetvete, plus janë rikthyer lojtarët e mirë. Po t’i hyjnë në lojë lojtarët Tiranës, në formën e duhur, Tirana është ekip shumë i fortë. E administroi shumë mirë rezultatin. Kjo ishte forca e Tiranës.
Vllaznia ka një mini-krizë në ekip. Ambiente mund të jetë i stresuar atje. Do një forcë karakteri dhe eksperiencë për ta mbajtur presioni. Na ka zhgënjyer loja te Vllaznia. Ka bërë lojëra shumë të bukura. Tirana shfrytëzoi momentin e keq të Vllaznisë dhe gradualisht e rriti lojën ”, u shpreh fillimisht Mema.