Afati për të plotësuar dokumentacionin dhe për të marrë pjesë në kampionatin e ri ka skaduar dhe ekipi i basketbollit të femrave të Vllaznisë nuk është në rregull. Për rrjedhojë, ai pritet të ndëshkohet me gjobë nga ana e Federatës Shqiptare të Basketbollit. Lajmi konfirmohet nga burime pranë këtij institucioni por pohohet edhe nga drjetues të klubit Vllaznia. Ekipi i drejtuar nga trajneri Rajmond Rasha ka nisur shumë vonë punën për plotësimin e dokumentacionit dhe si rrjedhojë, duket e sigurtë ndëshkimi i tij me gjobë. Ai do marrë pjesë në kampionat por nuk mund t’i shmanget dot gjobës. Ekipi i meshkujve ndërkohë ka plotësuar në kohë dokumentacionin dhe është në rregull me të. Këtë sezon Federata ka kërkuar që të gjithë ekipet e basketbollit në vend të shndërrohen në shoqata sportive por kjo ka shkaktuar një pengesë jo të vogël për ekipet pasi ata janë pjesë e klubeve shumësportëshe.