Skuadra e Vllaznisë në volejboll për femra e cila sapo ka krijuar ekipin e të rriturave ditën e premte do të ketë ndeshjen e parë zyrtare të Kampionatit pas rikthimit pas 20 viteve në kategorinë e parë. Ndeshja do te luhet ndaj Teutës dhe do të zhvillohet në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Shkodranet në këtë sfidë të parë me të rriturat para publikut të saj do të kërkojë një rezultat pozitiv. Vajzat kuqeblu të volejbollit prej kohësh janë stërvitur intensivisht për ta nisur mbarë sezonin e ri. Trajnerja Sadija Goga ka punuar me ekipin qoftë me përgatitjet teknike po ashtu edhe me anën psikologjike, duke qenë se Vllaznia është një ekip që nuk ka shumë kohë që ka konfirmuar pjesëmarrjen më të rriturat dhe volejbollistët kanë një moshë relativisht të re e aq më tepër për të parën herë do të luajnë në Kategorinë e Parë. Skuadra duket në një formë të mirë sportive. Gjatë gjithë kësaj kohe shkodranet kanë marrë ngarkesën e plotë për të qenë të gatshme për të përballuar me sukses ndeshjen e parë me Teutën. Nuk do të jetë një ndeshje e lehtë për Vllazninë e cila nuk ka eksperiencën e duhur, por pavarësisht kësaj shkodranet kanë shpirt gare dhe elementë cilësor në përbërje. Vajzat kuqeblu sezonin që u mbyll me të rejat fituan trofeun e kampionatit vetëm pas tre vitesh nga krijimi i ekipit. Tashmë gradualisht të njëjtin sukses kërkojnë ta përsërisin edhe me të rriturat edhe pse shkalla e vështirësisë është më e madhe. Në ndeshjen mes Vllaznisë e Teutës të shtunën në ora 15:00 pritet një numër i konsiderueshëm tifozësh në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” për të mbështetur ekipin kuqeblu që vjen në Kategorinë e Parë të volejbollit pas 20 vitesh, që nga koha kur skuadra drejtohej nga trajneri i atëhershëm Mark Grimci.