Vllaznia do të ketë një grup të plotë futbollistësh në ndeshjen ndaj Partizanit, që do të luhet të enjten në orën 18:00 në stadiumin “Loro Boriçi”.

Rikthimi i qendërmbrojtësit Marko Juriç dhe mesfushorit Ardit Krymi, të cilët kanë lënë pas dëmtimet, është një lajm shumë i mirë për stafin teknik.

Mirëpo, trajneri Migen Memelli është i dyzuar për t’i përfshirë në formacion, duke qenë se lojtarët nuk janë në 100% të gjendjes së tyre. Në stërvitjet e fundit ata më tepër janë provuar me grupin që mendohet se nuk do të jenë titullarë.

Megjithatë, kjo mbetet për t’u parë në stërvitjen e fundit, me Juriçin dhe Krymin që do të grumbullohen për nesër dhe ajo që pritet të konfirmohet është nëse do të luajnë nga minuta e parë apo do ta nisin nga stoli.