Ndeshja Skënderbeu-Teuta është luajtur me një stadium thuajse të boshatisur dhe ka munguar spektakli në tribuna. Por kjo ka bërë që të dëgjohej gjithçka që thuhej ne pankina, me trajnerin Migen Memelli i cili ka qenë vazhdimisht protagonist.

– Kjo ndeshje kishte një numër shumë të ulët tifozësh, me numrin e tyre që nuk kalonte të 50 vetët. Për të ardhur keq se në çfarë atmosfere u zhvillua ky takim.

– Trajneri i Skënderbeut, Migen Memelli, që në minutën e 10-të nxjerr në nxehmje tre lojtarë. Me sa duket, tekniku ka dashur t’i ketë të gatshëm në çdo moment të lojës.

– Memelli ka qenë shumë i nervozuar gjatë gjithë lojës me vendimet e arbitrit, duke i kontestuar ato në disa raste. Herë i drejtohej vetë gjyqtarit dhe herë të tjera shkonte tek arbitri i katërt për të kërkuar llogari.

– Tekniku i korçarëve irritohet me sulmuesit e tij, të cilët nuk po bënin si duhet detyrën e tyre. Në një moment ai kthehet nga pankina dhe i thotë të tijve: “Jam 42 vjeç, po të hyj në fushë tani, e dribloj 100 herë këtë mbrojtësin e tyre”, ia behu tekniku.

– Edhe fëmijët që kapin topat pas porte duhet të jenë me një jelek për t’u identifikuar. Mirëpo, për shkak se ishin veshur trashë me xhupa nuk po i vishnin dot jelekët, teksa në ndihmë u vjen një nga fotografët në stadium.

– Bledian Rizvani përfiton edhe nga pushimi i pjesës së dytë për t’i bërë sërish nxehmjen portierit Pano Qirko. Me sa duket, ka dashur ta mbajë nën tonus “gardianin” e durrsakëve.

– Kur po niste pjesa e dytë, kryesori Meta “godet” me top në bark Zguron, sigurisht në formë shakaje. Me lojtarin e Skënderbeut që i buzëqesh.

– Memelli harron për një moment lojën dhe afrohet te Mensah që po bënte nxehmjen. Nxjerr fletën nga xhepi dhe i tregon skemat dhe mënyrën se si duhet të luajë kur të hyjë në fushë. Të njëjtën gjë bëri edhe me Viktor Konçalves.

– Disa fëmijë arrijnë të gjejnë të çara në stadium duke hipur nga portat dhe duke u futur brenda në impiant. Por, pikasen menjëherë nga stjuardët, të cilët i largojnë menjëherë.