Skënderbeu nuk e ka mbyllur me merkaton. Edhe pse kanë rinovuar me disa lojtarë dhe afruar të tjerë, skuadra nuk është kompletuar ende. Migen Memelli pranoi që të rikthehej në “timon” me kushtin e vetëm: të ndërtohet një grup cilësor.

Kur dihet që do të tentohet direkt ngjitja, presidenca nuk ka në plan që të kursehet. Për të bërë realitet misionin, drejtuesit po tentojnë që përforcimet t’i marrin po nga elita e futbollit tonë.

BISEDIMET

Burime të sigurta në klub treguan se korçarët kanë hyrë në bisedime me tre lojtarë të njohur të Kategorisë Superiore, por për momentin gjithçka po mbahet sekret.Ato pohojnë për gazetën se bëhet fjalë për dy mesfushorë dhe një sulmues.

Elementë që do të rrisin më shumë cilësinë e Skënderbeut në sezonin 2022-2023. Duke iu referuar të njëjtit burim, besohet se javën e ardhshme do të ketë një tjetër takim mes palëve për të mbyllur marrëveshjen nëse plotësohen kushtet e vendosura.

Deri atëherë, Skënderbeu pritet të jetë hermetik për sa i përket emrave në fjalë, pasi nuk kërkon të ngjallë interesin e klubeve të tjera.

PENGESA

Si asnjëherë më parë, bardhekuqtë tashmë i tremben konkurrencës nga ekipe të tjera që mund të prishin punë në merkato.

Kjo vjen edhe për shkak të pozicionit ku ndodhet klubi, pasi dihet që çdo lojtar synon gjithnjë elitën dhe me Skënderbeun në Kategorinë e Parë, tundimet nuk janë të pakta, por edhe bindja e lojtarëve në këtë nivel është tepër e vështirë.

Gjithsesi, bardhekuqtë janë duke shfrytëzuar në maksimum emrin e krijuar në dekadën e fundit dhe mbi të gjitha planin për rikthim të menjëhershëm në elitë për të vijuar një cikël të ri, po aq të suksesshëm.

Deri në momentin që flasim, korçarët kanë mundur të afrojnë Rapën nga Gjilani, Prençin nga Llapi dhe tre futbollistë afrikanë duke nisur nga mesfushori kongolez Meil dhe dy ganezët, mbrojtësin Doseh dhe sulmuesin Abubakar.

Me klubin ka rënë dakord edhe Peposhi, por që nuk është zyrtarizuar ende. Vlen të theksohet se Skënderbeu humbi më shumë se 70% të ekipit nga firot e fundsezonit.