Finalja e nesërme e kategorisë së parë në mes Vllaznisë dhe Bylisit po merr rëndësinë e duhur nga të dy skuadrat të cilat kanë padyshim objektiv fitoren e saj.

Por ndërkohë, Eqerem Memushi, një nga trajnerët që e ka drejtuar ekipin ballshiot vite më parë, është i mendimit se ai po kalon një formë të mirë dhe ka më shumë shanse se Vllaznia për ta fituar këtë finale.

“Unë mendoj se Bylisi do jetë skuadra fituese e finales. Bylisi ka më shumë kualitete nga Vllaznia dhe të mos harrojmë se Grupi B kishte në përbërje skuadra që kanë luajtur në elitë, më të forta nga Grupi A.

Ka shumë ndryshim Bylisi në raport me sezonet e kaluara. Përveçse ka lojtarë shumë cilësorë, ka një organizim e menaxhim shumë profesional. Pak skuadra të Superiores e kanë, ndaj shikoj një Bylis të denjë për sezonin e ri”- ka thënë Memushi ne nje prononcim per “sportekspres.com”.

Por ndërkohë, ai ka dhënë një mendim edhe për formulën e kampionatit të kategorisë së parë duke thënë: “Me çfarë po prodhon kjo formulë, ajo duhej të ishte ndalur disa sezone më parë. Çdo vonesë në ndryshimin e saj do të ketë ndikime negative në nivelin e futbollit në Kategorinë e Parë, pse jo edhe më poshtë. Një grup me 14 apo 16 skuadra është shumë më normal për këtë kategori”.
© shkodrasport.com