Është Borussia e Dortmundit mbretëresha e merkatos këtë javë, sepse nënkampionët e Gjermanisë sapo kanë zyrtarizuar mbrojtësin e majtë Schulz dhe kanë mbyllur edhe një tjetër blerje mjaft cilësore.

Sulmuesi i majtë Julian Brandt do të transferohet nga Bayer Leverkusen te Dortmundi, lajm i publikuar nga Bild dhe i konfirmuar më pas edhe nga klubi i Aspirinave.

Brandt u transferua te Leverkusen në janar 2014, për më pak se 400.000 euro nga Wolfsburg, ndërsa që atëherë është bërë kampion Europe me Gjermaninë U21, ka shkëlqyer çdo sezon në Bundesligë dhe është bërë pjesë e kombëtares së Joachim Low.

Me 9 gola e 11 asiste në sezonin e sapombyllur, 23-vjeçari ndiqej nga shumë klube, por ka zgjedhur Dortmundin, që do të paguajë 25 milionë euro, aq sa parashikon klauzola e prishjes së kontratës. Një shifër e shkëlqyer për Leverkusen, por gjithashtu një goditje tjetër fantastike për Dortmundin, që ka premtuar se do ta rritë edhe më shumë nivelin, për të kërcënuar Bayernin./telesport/