Eqerem Memushi mendon se Diego Longo ishte zgjedhja e duhur për Flamurtarin, ndonëse e quan të vonuar. Nuk është se ka kritika për Marcelo Troisin, por evidenton se prej javësh ekipi nuk po i përgjigjej me lojë e rezultate.

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ish-trajneri thotë se skuadra ka lënë pikë të rëndësishme rrugës. I acaruar vazhdon të jetë me gjykimin në ndeshjen ndaj Dinamos, ndërsa hapur e thotë që ngjitja nuk do të diskutohet. Nuk kishte si të mos fliste edhe për derbin e së dielës me Orikun, që e sheh të fituar nga kuqezinjtë.


Flamurtari me trajner të ri. Si e shikon Memushi këtë zgjedhje?

Nga rezultatet dhe nga mënyra se si po ecte skuadra, nuk mund të themi se Troisi bëri një punë të keqe. Por kemi lënë disa pikë të domosdoshme rrugës për ecurinë e skuadrës. Mendoj që këtë ndryshim duhet ta kishin bërë pak më parë, para ndeshjes me Dinamon. Një ndërrim duhej, sepse edhe skuadra nuk po përgjigjej si me rezultatin ashtu edhe me lojën. Nuk kemi bërë ato lojërat e mëparshme. Kemi parë edhe ndeshje të bukura. Pas pushimit nga ndërprerja e kampionatit, skuadra po më dukej jo shumë e karikuar dhe jo shumë entuziaste.


Keni një vlerësim për trajnerin e ri, Diego Longo?

E kam ndjekur. Longo është një zgjedhje e mirë. I uroj suksese dhe të na çojë në Superiore. Vjet kur ka drejtuar Kukësin, ai ekip mua më ka lënë përshtypje për mënyrën e të luajturit. Është një trajner ekspert dhe ka qenë edhe ndihmës i Luçeskut me Shahktarin dhe ka fituar eksperiencë. Në futbollin shqiptar bëri një sezon të mirë, e njeh mirë dhe tani është me këmbë në tokë.