Ditët e fundit është folur për një transferim të bujshëm të Mërgim Mavraj te Partizani. Ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë ka reaguar për lajmet e merkatos ekskluzivisht për Oversport, ku ka konfirmuar interesin e “Demave”, si dhe nuk e fshehu dëshirën e tij për të mbyllur karrierën në Shqipëri. Megjithatë, ai shtoi se janë shumë rrethana që do të ndikojnë nëse do të vijë ose jo në “Abissnet Superiore” kampionat që transmetohet live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo.


Kapiten, së fundmi jeni shfaqur në studiot e SKY-it si komentator dhe analist. Si është kjo detyrë e re?

Puna në studio është shumë herë më e lehtë sesa ajo në fushë (Qesh…).

Po ja ndjen kënaqësinë që në hapat e parë mesa duket?

Po, është interesante. Nga studio duket se di gjithçka, vlerëson punët e të tjerëve. Me të vërtetë një eksperiencë interesante.

Së fundmi, emri juaj shihet si një ndër alternativat për mbrojtjen e Partizanit. Si qëndron e vërteta?

Së pari, unë kam shumë respekt për klubin e Partizanit. Njerëz që unë i kam miq shumë të mirë, janë ish-lojtarë apo edhe tifozë të asaj skuadre, që ma shtojnë edhe më tepër respektin për të.


Po shkoj më tej, keni nisur bisedime?

Po, mund t’jua konfirmoj që kam lejuar të nisin bisedimet. Për momentin vetëm kaq mund të them.


Pra, po thoni që jeni gati të luani në kampionatin shqiptar?

Nuk e di se si mund të shkojnë bisedimet, nëse do të ketë një bashkëpunim apo jo. Nga ana ime mund të them që për mua, fakti që një klub si Partizani është interesuar për mua që të jem pjesë e tij, është një vlerësim shumë i madh.

Mavraj, mesa duket do t’ju kemi çdo javë në ekranin e Oversport që jemi transmetuesi zyrtar i “Abissnet Superiore”…

Për mua është një kënaqësi shumë e madhe që një skuadër të më ketë në projektin e vet. Për ne që kemi luajtur për shumë vite në Shqipëri me Kombëtaren, të rikthehem prapë në ato fusha me tifozët e mrekullueshëm shqiptarë, në fushat ku kemi pasur shumë kujtime, do të ishte një mënyrë nostalgjike për t’i prekur edhe një herë ato stadiume, ato fusha. Madje, ja tani që po i përmend për ju, sa më shumë i mendoj, aq më shumë më shtohet dëshira.


A mund t’ju uroj për rikthimin në Shqipëri si futbollist i kampionatit?

(Qesh…) Nuk e di se si do të shkojnë bisedimet. Nuk mund të them asgjë. Janë shumë faktorë. Nga ana ime është një ide shumë e mirë, shumë e bukur që ta mbyll karrierën në Shqipëri. Po e përfundoj duke e theksuar edhe një herë, që a do të më jepet apo jo mundësia, nuk e di. /oversport/