Emri i ka dalë edhe tek Vllaznia, por Albion Marku po kërkohet edhe nga skuadra të tjera si nga kampionati shqiptar ashtu edhe jashtë tij. Kjo do të thotë se për të pritet të jetë “një verë e nxehtë”.
Anësori nga Rrësheni ka mbyllur zyrtarisht bashkëpunimin me Dinamon dhe tashmë është lojtar i lirë. 23-vjeçari është një nga mbrojtësit më të mirë të Kategorisë Superiore dhe si i tillë ngjall interes të disa klubeve brenda dhe jashtë kufijve. Mediat zbulojnë se Partizani ka shfaqur interes konkret dhe është treguar i gatshëm për të bërë një propozim zyrtar në drejtim të Markut.
Fakti që lojtari e njeh shumë mirë ambientin e kuq dhe ka ende shokë të tij në klub, e bën që Partizanin ta vendosë në krye të listës. Me të kuqtë ai luajti 39 ndeshje fillimisht nën drejtimin e Ilir Dajës dhe më pas të Dritan Mehmetit, duke dhuruar 3 asiste në 6100 minuta gjithsej. Por nënkampionët e Shqipërisë nuk janë të vetmit në garë për Markun.
Gazeta mëson gjithashtu se Tirana, Vllaznia dhe Ballkani janë vënë pas tij. Kampionët e Kosovës janë paraqitur me një ofertë zyrtare për mbrojtësin, që e ka konsideruar të ulët dhe pret propozimin e radhës. Në këtë kuadër, Partizani duhet të lëvizë më shpejt në rast se kërkon të rikthejë 23-vjeçarin. Transferimi i Markut nuk do t’i kushtonte asnjë lek Partizanit, sepse lojtari i ka mbushur 23 vjeç dhe ka skaduar afati i taksës së formimit.