Puna e drejtorit Tefik Osmani në Shkodër duket se ka nisur vrullshëm. Pak nga pak, ai ka nisur të mendojë për ndërhyrjet e domosdoshme në merkato për pozicionet që ekipi i Vllaznisë ka nevojë dhe po kërkon. Kështu, Star Plus ka mësuar nga burime të sigurta në klubin kuqeblu se ekipi i Vllaznisë ka shprehur interesim për mesfushorin e Tiranës, Ardit Hila. Në fakt, ka qenë vetë drejtori Osmani që ka patur bisedime direkte me Hilën, i cili nuk po kalon një situatë të mirë në ekipin e Tiranës dhe është gjithnjë e më larg bardhebluve, teksa edhe largimi i tij nga klubi kryeqytetas është vetëm çështje orësh.
Megjithatë, në garë për Hilën, është edhe ekipi i vendlindjes së tij, Elbasani, që flitet se i ka bërë një ofertë të mirë financiare dhe mbetet për t’u parë se cila do të jetë e ardhmja e tij, nëse do të zgjedhë të luajë në Superiore për Vllazninë apo në Kategorinë e Parë për Elbasanin. Në sezonin e kaluar, Hila në 29-ndeshje shënoi 6-gola, ndërsa këtë sezon në 12-ndeshje të luajtura, ka gjetur rrugën e rrjetës dy herë.
Nga ana tjetër, drejtori Tefik Osmani po kërkon në merkato edhe një mbrojtës, një mesfushor dhe një sulmues, si reparte të nevojshme për të përforcuar ekipin. Megjithatë, përveç kësaj, në biseda të ndryshme që Osmani ka patur me shumë pjesëtarë të klubit të Vllaznisë, ka kërkuar medoemos që në ekipin e parë të ketë më shumë hapësira nga Akademia e Vllaznisë, pra nga prodhimi vendas.
Duke filluar nga porta dhe duke përfunduar në sulm, teksa sipas të gjitha gjasave një gjë e tillë do të jetë një nga synimet kryesore të punës së tij në Shkodër. Kujtojmë që, në pesë takimet e fundit, ekipi i Vllaznisë numëron tre fitore, një barazim dhe një humbje, teksa tashmë kuqeblutë ndodhen në vendin e katërt në kuotën e 23-pikëve.