Vllaznia është një nga klubet më pak aktive të Superiores në merkaton e verës. Edhe pse shkodranët marrin pjesë në Kupat e Europës, drejtuesit nuk janë ngutur për të ndërhyrë shpejt dhe fuqishëm në treg.

Deri tani, ata e kanë përforcuar dhe konfirmuar me rinovime ekipin nga porta deri në sulm, pa harruar edhe konfirmimin e stafit të ri teknik, me në krye trajnerin Mirel Josa.

Prapavija ka marrë formë me rinovimin e portierit Zogoviç, si edhe dy mbrojtësve Bulatoviç dhe Hakaj, shto këtu edhe afrimin e Dajan Shehit. Gjithsesi, pritet edhe një qendërmbrojtës, ku pista më e lakuar është ajo e një mbrojtësi kroat, por pa bërë të ditur emra konkretë.

Gjithashtu, me përjashtim të Ardit Krymit, mesfusha ka ruajtur nga sezoni i kaluar disa futbollistë, si Latifi dhe Hoxhaj në krah apo edhe rinovimi me Jonuzin dhe konfirmimi i Heriç, pa harruar edhe afrimin e Lorik Boshnjakut dhe Kristijan Vulajt.

Megjithatë, reparti ku Vllaznia ka besim se do ta udhëheqë këtë grup, shikohet sulmi. Tashmë, pas aventurës me Kastriotin janë vërtetuar vlerat si golashënues të brazilianit Kaina Nunes, por në ndeshjet e fundit të sezonit të shkuar doli në skenë edhe Aralica, i cili ka qenë ndër blerjet e para të sezonit të kaluar në Shkodër.

Poashtu, përveç tyre, pritet afrimi i një sulmuesi ballkanas, që mund ta “blindojë” fazën ofensive të Vllaznisë. Shpresat janë të mëdha se dyshja Nunes-Aralica, do të jetë nga më të mirat dhe produktivet në Superiore në sezonin e ri, por jo vetëm, madje duke nisur nga ndeshjet e Kupave të Europës ndaj Kraiovës.

Pritshmëritë janë të mëdha nga sulmi, që me mbështetjen e mesfushës parashikohet se do ta mbajnë skuadrën shkodrane në nivele të larta, duke mos notuar në ujërat ku përfunduan në mbylljen e edicionit të shkuar.

Kështu, në Shkodër të gjithë presin të shikojnë në fushë shpërthimin e dyshes sulmuese Nunes-Aralica. Megjithatë, se sa do të realizohet një gjë e tillë mbetet për t’u parë, duke nisur nga dy ndeshjet e Conference League ndaj Universitatea Craiova.
Maringlen ZHIVANI