Tek Vllaznia e kanë marrë me shumë “vrull” punën për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ardhshëm. Dhe pas zyrtarizimit të vazhdimit të bashkëpunimit me trajnerin Edi Martini dhe drejtorin sportiv Vioresin Sinani, tashmë ka nisur puna edhe për rinovimin e kontratave me lojtarët kryesorë të skuadrës.
I pari me të cilin është arritur akordi është mesfushori Sherif Kallaku. Atij i është rinovuar klauzola e rinovimit dhe kjo do të thotë se 28 vjeçari do të jetë pjesë e kuqebluve edhe për sezonin e ri. Një gjë e tillë bëhet e ditur përmes një postimi të pak minuta më parë nga klubi shkodran.
“Sherif Kallaku edhe një sezon kuqeblu.
Kemi kënaqësinë të njoftojmë se futbollisti Sherif Kallaku do të jetë pjesë e skuadrës tonë edhe për sezonin 2026-2027″- shkruhet në faqen zyrtare të Vllaznisë. Pas tij, priten firmat edhe me disa futbollistë të tjerë që kanë qenë pjesë e rëndësishme e skuadrës në sezonin që sapo u mbyll.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


