Teuta vijon me intensitet përgatitjet në prag të kampionatit. Nën drejtimin e trajnerit Renato Arapi, gjendja e grupit duket e kënaqshme dhe lojtarët po i përgjigjen pozitivisht programit të specifikuar përgatitor.

Ndërkohë, për t’i parë lojtarët në veprim dhe krijuar një ide mbi gjithsecilin, klubi ka vendosur miqësoren e fundit për këtë periudhë përgatitore kundër Partizanit, që do të zhvillohet më 13 gusht në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Grupi i lojtarëve është duke marrë ngarkesa të shumta nga ana e stafit në të gjitha drejtimet. Çdo ditë vihet re një avancim në planin stërvitor, që nuk është më i njëjtë si më parë. Një vëmendje të madhe po merr ana fizike, që nis me vrapimet me kohë të vogël dhe të gjatë. Pas çdo ndalese stafi përkujdeset edhe për kontrollin e herëpashershëm, nëse e përballojnë apo jo fazën e vrapimit.

Gjithashtu, edhe tek ushtrimet me topin rëndësia është e madhe me gjithkënd që duhet të jetë i saktë në veprime. Arapi dhe stafi i tij ndërhyjnë kur shohin paqartësi vetëm e vetëm që grupi të arrijë pritshmëritë. Faza e deritanishme po shkon mjaft mirë e shpresohet që titullarët e mbetur nga sezoni i kaluar, duke shtuar këtu edhe përforcimet me disa të rinj, të harmonizohen plotësisht. Teuta ka qenë disi pasive këtë periudhë në merkatoje, pasi është fokusuar më tepër tek elementi i ri. Megjithatë, mund të thuhet se emra si Uheid Hoxha, Aldrit Oshafi, Alban Çejku, Patrik Treni, David Gjinollari dhe Klevis Bebeziqi pritet të thonë fjalën e tyre në kampionatin e ri, duke u afirmuar pikërisht te durrsakët. Drejtuesit kanë në plan emra nga tregu vendës, por afrimet kanë vonuar, nisur edhe nga fakti që klubi nuk do të nxitohet në përzgjedhje.

STËRVITJA – Në seancën e djeshme stërvitore, Arapi ka ndarë ekipin në dy grupe, duke punuar me repartet e ndara. Mbrojtja ka punuar e veçuar, po ashtu edhe mesfusha e sulmi. Gjithashtu trajneri ka zhvilluar dhe një minindeshje për rreth 20 minuta, për të vlerësuar dhe situata të ndryshme taktike të lojës. Këto ditë i shërbejnë Arapit për të fiksuar formacionin që pritet të zbresë në fushë më 20 gusht kundër Laçit. Nga emrat e rinj që janë afruar, gjasat janë që vetëm 2-3 prej tyre të jenë pjesë e formacionit. Lajm i mirë është edhe rikthimi me grupin i lojtarëve që kanë pasur probleme fizike në javën e kaluar, pikërisht qendërmbrojtësi Artan Jazxhi dhe sulmuesi Aldrit Oshafi.