Ndonëse merkatoja e futbollit të femrave mbyllet pas tre ditësh, tek Vllaznia e femrave duket se e kanë mbyllur atë. Paraditen e sotme presidenti i këtij ekipi ka prezantuar për mediat dy përforcimet e ardhura nga merkatoja ditët e fundit.
Bëhet fjalë për paraguajajen Erika Cartaman dhe spanjollen Candela Gonzales. E para është një lojtare mesfushore me tipare sulmuese dhe që është kontigjent i kombëtares së Paraguajit dhe të dhënat e para për të duken shumë pozitive.
Ndërkohë spanjollja Gonzales luan në sulm dhe në pjesën e parë të sezonit ka luajtur në Islandë, ndërkohë që tashmë vjen te Vllaznia me objektivin e qartë për të dhënë kontributin e saj për shpalljen kampion.
Presidenti Matija gjatë fjalës së tij është shprehur se me këto dy përforcime skuadra është edhe më e plotë dhe tashmë ajo ecën e sigurtë drejt arritjes së objektivave të saj. Gjithsesi e gjithë vëmendja është përqendruar tek ndeshja e nesërme ndaj Teutës, e vlefshme për turin gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë.
Ndeshja e parë në Durrës javën e kaluar është fituar nga vendaset me shifrat 2-1, ndërkohë që Vllaznia duket shumë e vendosur për të treguar vlerat e saj, për ta fituar këtë ndeshje dhe për t’u kualifikuar në finalen e këtij kompeticioni.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


