Opinion nga Gjergj KOLA

Vllaznia deri më tani ka bërë 5 blerje. Beqiri, Deliç, Nallbani, Begaj dhe Dragoi janë futbollistët që janë veshur kuqeblu. Pa gjykuar ende për paraqitjet e tyre në fushë, ajo çfarë konstatohet është se kostoja financiare e këtyre blerjeve është shumë më e ulët në krahasim me atë që u bë në janar të këtij viti. Për të mos thënë, që në pamje të parë duket më cilësore. Të paktën në parim. Askush nuk mund të thotë se Begaj është më poshtë se kroati Vuk si nivel loje. Në vlerë financiare sigurisht që me mbrojtësin vlonjat është kursyer sepse vlera e kontratës së tij nuk është e madhe. Askush nuk mund të thotë se Nallbani është poshtë se lojtari nga Andora Moreno. Në vlerat e kontratës së tyre, shifrat mund të jenë të përafërta. Për tifozët e Vllaznisë në fakt të krahasosh Nallbanin me Morenon është çmenduri. Nga ana tjetër, dalim tek krahasimi Deliç- Brnoviç. Të dy lojtarët janë me CV të mirë. Të dy kanë luajtur edhe me kombëtaren e vendit të tyre. Dallimi është I madh tek mosha, 26 lojtari që ka firmosur këto ditë dhe 32 ai I ardhur në janar. Në fushë, gjasat janë që Deliç të japë më shumë për Vllazninë ngaqë dëshiron të rifitojë sërish kombëtaren e Malit të Zi. Dallimi I madh mes këtyre dy lojtarëve është në vlerë financiare. Brnoviç në vetëm 4 muaj mori 22 mijë euro. Deliç në 10 muaj do marrë vetëm 25 mijë euro. Kaq mjafton për të kuptuar se diferencat që në nisje janë të mëdha. Pa dalë pastaj tek krahasim I Jabllan me Dragoin. Ndonëse në pozicione të kundërta në fushë, rumuni pritet të japë shumë më tepër sesa malazezi. Edhe në financa është më I lirë. Pikërisht duke u bazuar në këto shembull, konstatimi I parë është që Vllaznia është duke u mundur të zhvillojë një merkato më cilësore se në janar dhe çka është më e rëndësishmja, një merkato “low cost”.  Pra, më pak financa të shpenzuar dhe më shumë cilësi. Pa dalë pastaj tek Elvin Beqiri, Armando Vajushi apo ndonjë tjetër që mund të vijë në ditët e ardhshme. Krahasimi I bërë në fakt edhe vlen edhe jo sepse në janar nuk ka patur alternativa më të mira në dispozicion. Tashmë koha ka qenë shumë më e gjatë dhe mëse e mjaftueshme për të gjetur lojtarët e duhur. Por tendenca që po vihet re pas çdo merkatoje të tanishme është zbritja e çmimit të futbollistëve. I njëjti futbollist që deri para një sezoni kërkonte 35 mijë euro kontratë, tani firmosë me 18 mijë!!! Në fakt, tek shumica e klubeve po vihet re tendenca e uljes së vlerës të kontratave. Kriza financiare ka prekur dashje pa dashje edhe klubet tona që as privat dhe as shtetëro po shpenzojnë jo pak për të prodhuar pak futboll, edhe ky I një cilësie që lë shumë për të dëshiruar.